Paketa Fiskale, IEKA kërkojnë shtyrjen e TVSH dhe rishikimin e tatimit mbi dividendin
IEKA kërkon shtyrjen deri më 1 korrik 2027 të pragut të ri të TVSH-së dhe rishikimin e tatimit mbi dividendin.

Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) kërkon që ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore të mos zbatohet menjëherë në fillim të vitit 2027, por të parashikohet një periudhë tranzitore deri më 1 korrik. Ekspertët kontabël ngrenë shqetësime edhe për rritjen e propozuar të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe për efektet që mund të ketë rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% mbi konsumin dhe aktivitetin e bizneseve.
Në një deklaratë publike, IEKA ka paraqitur një sërë rekomandimesh për Paketën Fiskale 2027, duke kërkuar analiza më të plota të ndikimit ekonomik dhe social, rregulla të qarta tranzitore dhe më shumë kohë për përshtatjen e bizneseve me ndryshimet e propozuara.
Megjithëse mbështet objektivat për zgjerimin e bazës tatimore, formalizimin e ekonomisë dhe lehtësimin e barrës fiskale për kategoritë më në nevojë, Instituti vlerëson se disa prej masave mund të ndikojnë në konsumin e familjeve, konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve dhe kostot administrative të përmbushjes së detyrimeve tatimore.
Pragu i TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë, kërkohet shtyrja deri më 1 korrik 2027
Një nga shqetësimet kryesore të IEKA-s lidhet me uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Kjo masë pritet të përfshijë në skemën e TVSH-së një numër më të madh biznesesh të vogla, të cilat do të duhet të përballojnë detyrime të reja për regjistrimin, mbajtjen e evidencave, faturimin dhe deklarimin tatimor.
Sipas Institutit, zbatimi i menjëhershëm i ndryshimit mund të krijojë vështirësi organizative, kontabël dhe teknike për subjektet që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme administrative.
Për këtë arsye, IEKA propozon rishqyrtimin e afatit të hyrjes në fuqi të pragut të ri, duke kërkuar një periudhë tranzitore deri më 1 korrik 2027.
Gjatë kësaj periudhe, ekspertët sugjerojnë që bizneset të mbështeten përmes informimit të strukturuar, asistencës teknike, mundësisë së deklarimit tremujor dhe procedurave administrative më të thjeshta, me qëllim përshtatjen graduale me detyrimet e reja.
Tatimi mbi dividendin nga 8 në 15 për qind, kërkohen rregulla tranzitore
Një tjetër pikë e rëndësishme e deklaratës lidhet me rritjen e propozuar të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, ndryshim që do të rriste tatimin mbi fitimet që shpërndahen te aksionarët.
IEKA kërkon një analizë të plotë të ndikimit të kësaj mase në barrën e përgjithshme fiskale, trajtimin e të ardhurave nga kapitali dhe parashikueshmërinë e sistemit tatimor.
Instituti sugjeron shqyrtimin e praktikave të vendeve të rajonit, si dhe mundësinë e një zbatimi gradual të normës së re të tatimit mbi dividendin.
Vëmendje e veçantë kërkohet për mënyrën se si do të trajtohen dividendët që burojnë nga fitimet e realizuara deri më 31 dhjetor 2026.
Sipas ekspertëve kontabël, duhet të përcaktohen rregulla të qarta tranzitore, në mënyrë që ndryshimet të mos krijojnë efekte të ngjashme me prapaveprimin dhe të garantohet siguria juridike për tatimpaguesit.
TVSH-ja 6 për qind për ushqimet bazë, kërkohet monitorimi i çmimeve
Për sa i përket ndryshimeve në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, IEKA mbështet uljen e propozuar të normës për produktet ushqimore bazë, duke e konsideruar një masë që mund të ndihmojë fuqinë blerëse të familjeve, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta.
Megjithatë, Instituti thekson se përfitimi real i konsumatorëve do të varet nga reflektimi i uljes së tatimit në çmimet përfundimtare të produkteve.
Për këtë arsye, ekspertët kërkojnë monitorim periodik dhe transparent të çmimeve nga institucionet përgjegjëse, për të vlerësuar nëse lehtësimi fiskal po përkthehet në ulje reale të kostos së jetesës.
IEKA rekomandon gjithashtu që administrata tatimore të sigurojë rimbursimin në kohë të TVSH-së për subjektet që mund të kalojnë në pozicion kreditor, duke sugjeruar përcaktimin e afateve të qarta procedurale, për shembull 30 ditë.
Rritja e TVSH-së standarde në 21 për qind, kërkohet analizë e ndikimit te familjet
Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% konsiderohet nga IEKA si një masë që duhet analizuar së bashku me lehtësimet e tjera të Paketës Fiskale 2027.
Sipas ekspertëve, është e nevojshme të përcaktohet efekti neto i ndryshimeve mbi kategori të ndryshme familjesh dhe mbi konsumin, për të kuptuar nëse ulja e TVSH-së për ushqimet bazë do të kompensojë ose jo efektet e rritjes së normës standarde për mallrat dhe shërbimet e tjera.
Njëkohësisht, bizneset duhet të kenë kohë të mjaftueshme për përshtatjen e sistemeve të faturimit dhe kontabilitetit, në mënyrë që ndryshimet e normave tatimore të mos shoqërohen me probleme teknike gjatë zbatimit.
Profesionet e lira, IEKA kërkon trajtim fiskal më proporcional
Në deklaratën e tij, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar ndalet edhe te trajtimi fiskal i profesioneve të lira, duke kërkuar një analizë të posaçme që të marrë parasysh natyrën e shërbimeve, strukturën e klientëve dhe peshën e detyrimeve administrative mbi subjektet më të vogla.
IEKA sugjeron shqyrtimin e mundësive për një trajtim më proporcional dhe lehtësime administrative, duke respektuar njëkohësisht kuadrin ligjor dhe procesin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Kërkohen analiza të ndikimit dhe konsultim profesional për Paketën Fiskale 2027
Një tjetër rekomandim i IEKA-s është publikimi i analizave të ndikimit për secilën masë të propozuar në Paketën Fiskale 2027, si dhe i një vlerësimi të konsoliduar për efektin e përgjithshëm të ndryshimeve mbi ekonominë, bizneset dhe familjet.
Sipas Institutit, ndryshimet fiskale duhet të shoqërohen me një proces të mirëfilltë konsultimi profesional, në mënyrë që shqetësimet dhe rekomandimet e ekspertëve të merren parasysh përpara miratimit të kuadrit të ri ligjor.
IEKA rekomandon gjithashtu që rezultatet e masave kryesore të rivlerësohen pas vitit të parë të zbatimit, për të analizuar ndikimin e tyre real dhe për të identifikuar nevojën për korrigjime të mundshme.
Reagimi i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar i shtohet shqetësimeve të shprehura ditët e fundit nga organizatat përfaqësuese të biznesit, të cilat kanë kërkuar më shumë transparencë, parashikueshmëri dhe analiza të ndikimit të ndryshimeve të propozuara fiskale.
Burimi: ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)